Sipas filozofit Edgar Morin, uniteti dhe diversiteti janë pazgjidhshmërisht të lidhura në mes veti dhe si të tillë u mundësojnë shoqërive moderne bashkëjetesë pa konflikte.
Në kuadër të këtij mendimi filozofik dhe në vigjilje të javës kundër racizmit Universiteti Popullor Shqiptar, i Gjenevës,i ndihmuar edhe nga Zyra për Integrim e këtij kantoni dhe bazuar në agjendën 21 po ashtu të Gjenevës,organizoi një ditë tejet të ngjeshur konferencash dhe debatesh,ku temë qendrore ishin Dallimet, Diversiteti dhe Diskriminimi ndaj të huajve.
Hapjen e këtij tubimi me tema interesante e bëri Presidenti i UPSH –së Manuel Tornare, njëherit edhe deputet federal i Parlamentit të Zvicrës, e po ashtu udhëheqës i asociacionit LICRA ,të Gjenevës. Pastaj fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e UPSH-së Albana Krasniqi – Malaj. Ajo e njohur si eksperte federale e çështjeve të migracionit dhe të shkollimit të pranishmit fillimisht i njoftoi me përmbajtjen e temave duke prezantuar veç e veç secilin diskutues.
Këto tema aktuale dhe mjaft të rëndësishme prekën bërthamën e të drejtës qytetare të mirgrantëve dhe statusin e tyre në Zvicër. Gjithashtu u shqyrtuan dhe pengesat e problemet që e ndjekin këtë kategori.
Përmes një shikimi Juridik, sqarime të rëndësishme rreth kësaj teme ka dhënë edhe zonja Ardita Driza Maurer , e specializuar në fushën e Jurisprudencës dhe këshilltare e pavarur në lëmin e të drejtave politiko- juridike në kuadër të UPSH-së. Kjo temë u plotësua edhe nga Zonja, Nicole Pomezny, koordinatore e aktiviteteve të Avenir Suisse,njohëse e shkëlqyer e problematikës së të drejtave të përgjithshme të migrantëve. Sipas zonjës Pomezny e drejta e votës dhe e zgjedhjes së të huajve është e paevitueshme . Dhënia e kësaj të drejte të të huajve në gjithë Zvicrën mbetet vetëm çështje kohe thotë Pomezny.
Alexandre Mégroz dhe Inge Hoffman, që hulumtimet e tyre mbi migrimin i kryejnë në terren vunë në dukje ardhjet e vazhdueshme të të huajve e sidomos ato gjatë dekadave të fundit dhe të drejtën e tyre qytetare për të qenë pjesë aktive e shoqërisë në Gjenevë dhe në kantonet tjera të Zvicrës.
Pjesa e dytë e këtij simpoziumi trajtonte çështje të shumta mbi fenë dhe fërkimet sociale që mund të shkaktohen në kontekstin aktual. Profesori i njohur i sociologjisë pranë universitetit të Gjenevës,Matteo Gianni me diskutimin e tij përmbajtjesor solli një frymë të freskët mendimi rreth bashkëjetesës dhe komunikimeve ndërkulturore. Sipas tij, feja është rregullator në marrëdhëniet midis grupit dhe individit. Respektimi i besimit të tjetrit kthehet në gur themel të bashkekzistencës. Në këtë rast nuk bëhet fjalë s’e a e do apo jo fenë e tjetrit. Primare dhe e njerëzishme është ta respektosh tjetrin me të gjitha veçoritë , duke përfshirë edhe ato fetare.
Në frymë të ngjashme debatoi edhe profesoresha e Universitetit të Llozanës ,njëkohshëm dhe drejtoreshë e institutit të shkencave sociale dhe feve bashkëkohore, Monika Salzbrunn, e cila termin « Integrim » e quajti si të dalë mode por që në vakuumin leksikor dhe semantik derisa nuk kemi ende shprehje tjetër duhet vazhduar emërtimet e kësaj dukurie me të njëjtin term.
Ndërkaq imami dhe drejtori i Fondacionit të njohjes së ndërsjellë, Hafid Ouardir, i veçuar për qëndrimet e tij parimore e etike foli në mënyrë pasiononte mbi konceptin e njohjes reciproke duke potencuar se kjo njohje nuk duhet të pritet vetëm nga migrantët por edhe nga shoqëria pritëse, si një proces mirëkuptimi kolektiv. Maurice Gardiol, ekspert i të drejtës kushtetuese në kantonin e Gjenevës dhe president i Camarada, diskutimin e tij e përqendroi rreth bashkëjetesës paqësore dhe konceptit të fesë. Ai gjatë fjalës së tij tha:është e sigurt se ne jetojmë së bashku, dhe jemi thuajse të detyruar ta ndërtojmë bashkëjetesën në kushte optimale. Gjithashtu u shoshitën dhe temat mbi laicitetin dhe islamofobinë
Ky simpozium , nxori në pah interesimin e madh të publikut ngase kjo temë e panjohur ishte një mister që u hapi rrugë stigmatizimeve dhe spekulimeve të ndryshme.
Diskutuesja tjetër Rozita Fibbi, profesoreshë në universitetin e Neuchatelit, dhe një nga studiueset e pakta ka përqendruar studimin e saj mbi diskriminimin e shqiptarëve dhe kombësive të tjera të ish-Jugosllavisë. Ajo gjatë diskutimit të saj preku çështje nga fusha e punësimit duke ofruar statistika të shumta rreth kësaj problematike.
Thierry Apotheloz,kryetar i bashkësisë së Komunave të Gjenevës dhe Kryetar i Komunës Vernier, vuri theksin në përgjegjësinë individuale dhe atë kolektive të shoqërisë mbi dallimet,diversitetin dhe diskriminimin. Këto tema ai i vlerësoi si mjaft të qëlluara,për çfarë shprehi konsideratën e tij të lartë
ndaj UPSH-së si kryeorganizator i këtij debati.Mendimin e tij e plotësoj edhe zonja GiuliaWillig, përfaqësuese e sindikatës UNIA, e cila me mjaft kompetencë paraqiti një panoramë të detajuar të problemeve në fushën e punësimit dhe të vështirësive që hasin të huajt për arsye të origjinës së tyre. Diskutuesi i radhës Ibrahima Gissé studiues pranë Shkollës së Lartë për punë sociale në Gjenevë,vuri në dukje dallimet që ekzistojnë në rrafshin e punësimit midis migranëtve të ardhur nga jugu i planetit dhe të atyre të vendeve tjera.
Të pranishmit në sallë dhe përfaqësuesit institucional, të shoqërisë civile si dhe bartësit e funksioneve të larta politike të kantonit të Gjenevës u shprehen mjaft të kënaqur me organizimet dhe nismat e UPSH-së , të cilat i quajtën si shembull edhe për të tjerët.
Me të përfunduar debatet e këtij simpoziumi në skenë është ngjitur këngëtarja e njohur Elena Duni, e cila me interpretimet e saj të bukura ka kënaqur të gjithë të pranishmit. Kurse për dashamirët e poezisë kësaj radhe është përkujdesur krijuesja e devotshme Besa Myftiu, e cila ka këputur nga krijimtaria e saj disa poezi të cilat i ka lexuar me mjaft ëndje para auditorit.
Meqë një nga temat boshte ishte edhe diversiteti organizatori kishte sjell nga rruga interpretues të muzikës cigane. Me notat e tyre ritmike dhe festive pjesëtarët e këtij komuniteti ndezën atmosferën në sallë. Duartrokitjet e gjata drejtuar atyre ishin dëshmia më e mirë se interpretimet e tyre ishin të pëlqyeshme dhe padallime nga të gjithë pjesëmarrësit.
Dhe krejt në fund të këtij takimi Zonja Albana Krasniqi- Malaj, drejtoreshë e UPSH-së i njoftoi të gjithë të pranishmit se debatet dhe animacionet e kësaj dite të interesuarit së
shpejti mund t’i gjejnë edhe në sajtin ( www.upa.ch)
Pergaditi Arif Ejupi