Quantcast
Channel: BOTA – Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 154

Përse nuk njihet shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shek. XVI

$
0
0

Nga Kastriot Marku

 

Speciale/Shkrimi i historisë së Arsimit si nevojë e shkrimit të historisë së qytetërimit shqiptar
 Trajtimi i fillimeve të shkollimit në gjuhën shqipe përgjatë periudhës 1945-1990 nga pikëvështrimi i historiografisë zyrtare shqiptare, i përftuar në trajtën e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, nuk do shumë argumente mbushamendase për të bindur cilindo se, ajo është shkruar njëanshmërisht duke shpërfilluar qëllimisht, në mos thuajse tërësisht, së paku pjesërisht, ekzistencën konkrete tashmë të provuar dokumentarisht të pjesës më të madhe të shkollave shqipe të hapura përgjatë shekujve XVI-XVIII. Arsyet e këtij mënjanimi të pashembullt nga ana e historiografisë shqiptare, e cila tymoste dhe propagandonte nacionalizmin e saj etnocentrik, në një farë kuptimi duket një absurditet pothuajse i paimagjinueshëm, por për brezin tonë që e njohëm jo pak funksionimin e mekanizmave të asaj diktature të patëdytë, ishin për atë kohë,dhe për fat të keq janë ende edhe sot në jo pak raste, një realitet “normal”. Këto arsye nuk kishin motivim tjetër përveçse profilimin e historisë dhe kulturës shqiptare sipas metodologjisë së ashtuquajtur dialektike marksise-leniniste, e cila duhej të aplikohej dhe propagandohej e njësuar bashkë me çdo prodhim shkencor dhe intelektual dalë prej laboratorit të saj ideologjik.
Nga kjo shartesë metodologjike, ku shkenca dhe ideologjia u duhej të mbështesnin njëra-tjerën, nuk bëri përjashtim as historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Me keqardhje të madhe vërehet se, një pjesë e madhe e të rinjve të formuar pas viteve 90-të, të cilët nga pikëpamja formale kanë mbërritur të arsimohen shkel e shko deri në nivelin e studimeve doktorale në disiplinat albanologjike, vijojnë të mendojnë ende në një mënyrë tërësisht provinciale me syze ideologjike sikurse mendohej në mënyrë uniforme para vitit 1990, imponuar kësisoj për inerci nga historiografia ideologjike e asaj kohe. Për ta parë qartazi në mënyrë shembullore se si historiografia jonë e derisotme shpërfaq këtë mendësi metodologjike dhe konceptuale jashtë metodologjisë dhe logjikës që aplikon historiografia evropiane dhe botërore bashkëkohore, mjafton të shihet qëndrimi që mban kundrejt historisë së arsimit në gjuhën shqipe. Ekzistenca e shkollës shqipe duke nisur nga fundi i shekullit të XVI tek arbëreshët është tashmë fakt historik i dokumentuar dhe kësisoj i padiskutueshëm, ndaj nëse është pranuar njohja e tekstit të parë shqip, i librit të parë shqip, përse të mos njihen si të tilla edhe shkollat shqipe, të cilat janë hapur jo pak por plot dy-tre shekuj para 7 marsit të vitit 1887, datë në të cilën u hap “Mësonjëtorja” e Korçës, me të cilën shenjohet fillimi i shkollimit shqip, më saktë vijim i traditës, tashmë nën frymën e Romantizmit shqiptar, e njohur si Rilindja Kombëtare Shqiptare. I gjithë paragjykimi lidhur me mosnjohjen sikurse duhet të shkollimit në gjuhën shqipe lind dhe ndalet me sa duket pikërisht tek termat “laike” dhe “fetare”, të stërkonsumuar tashmë, sipas të cilëve nëse këto shkolla me programet, stafin mësimdhënës (mësuesit) dhe subjektet e tyre (nxënësit) ishin shkolla tërësisht laike, që në këtë rast i bie që të ishin miratur apo të financuara nga shteti; ose këto shkolla ishin fetare, dhe si të tilla organizoheshin dhe mbaheshin me financimenga kleri përkatës; programet e tyre bazë ishin lidhur me lëndët e formimit religjioz, mësuesit e punësuar ishin klerikë dhe nxënësit një pjesë e mirë e tyre mund të ishin edhe kandidatë të mundshëm për t’u pranuar në thirrjen meshtarake (e kemi fjalën në këtë rast për ato shkolla që administroheshin institucionet e kishës katolike). Si për çudi në pjesën më të madhe të të gjithë këtij ngërçi “terminologjik”, i bie që të paramendohendhe të paragjykohen pa kurrëfarë mëdyshje, ekskluzivisht shkollat e hapura nga kleri katolik, të cilat rezultojnë pa asnjë mëdyshje se kanë qenëtë parat. Anakronizmi i termave “laik” dhe “fetar” paraqet një paradoks mjerisht mbresëlënës në kufijtë e marrëzisë, nësë shihet më me kujdes kjo problematikë. Për t’a sqaruar më mirë këtë na duhet të nisim në krye të herës tek termi laik. Thamë më sipër se, bazuar në këtë arsyetim shkollatduhet të kishin programet, stafin mësimdhënës (mësuesit) dhe subjektet e tyre (nxënësit) tërësisht laike, pra që duhet të ishin miratura apo të financuara nga shteti. Po cili shtet funksiononte në këtë kohë kur këto shkolla funksiononin si të tilla? Kush i “administronte” shqiptarët gjatë kësaj periudhe, nga pikëpamja institucionale,le ta themi juridike, qoftë edhe formale nëse do ta mund ta quajmë kështu? Shqiptarët nën Perandorinë Osmane e kishin tëndaluar ligjërisht që të mos shkolloheshin në gjuhën e tyre amtare, ndaj për këtë arsye shkollimi në këtë gjuhë nuk kishte as mundësinë më të vogël që të ishte i lirë d.m.th. publik. Edhe nëse do të lejohej shkolla për shqiptarët në viset ku ata banonin, kjo shkollë do të duhej të ishte ekskluzivisht së paku në gjuhën e perandorisë dhe kryesisht shkollë që realizonte formimin e kandidatëve për shërbimet fetare të religjonit perandorak osman. Afërmendsh i bie të jetë jashtë logjikës që të mendojmë se administrata osmane do të duhej të lejonte një shkollë “laike” në gjuhën shqipe e cila do të nënkuptonte domosdoshmërisht përmes saj vetëdijësimin e shqiptarëve për një nga shenjat e bazike të kombësisë së tyre sikurse është gjuha amtare. Si e tillë kjo përbënte një kanosje serioze për vetë strukturën shtetërore dhe ushatarake perandorake e cila edhe pa e pasur shkollën si të tillë nuk ndihej asnjëherë e qetë në territoret shqiptare për shkak të kryengritjeve të njëpasnjëshme, kryesisht në viset malore në veri,por edhe jug të vendit, ku banorët nuk i duronin taksimet e dyfishta, qoftë kjo nga të krishterët e ritit latin që e dëshmuan disa herë këtë duke vënë në krye të tyre ipeshkvinjtë si Nikollë Mejkashi, Pjetër Budi, Mark Skura dhe Pjetër Bogdani qoftë nga të krishterët e ritit bizantin të bregdetit jugor të Himarës. Kjo çështje hap ndërkohë një tjetër parantezë që na është përtërirë vitet e fundit nga një tjetër soj “studiuesish”, të cilët pretendojnë të mos e konsiderojnësikur qe pushtim sundimin pesëqindvjeçar osman, por si administrim në kuadër të asaj perandorie e cila na paskësh qenë e qetë dhe favorizuese/zemërgjërë për shqiptarët teksa sjellin në mbrojtje të argumentit të tyre si shembuj mbështetje, shqiptarët e shumtë që u integruan në administratën ushtarake, ekonomike dhe fiskale osmane. Edhe unë do ju bashkangjitesha “studiuesve” që përkrahin bashkëjetesën paqësore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, por përpara se ta bëj këtë do të përpiqesha që ata të më bindnin në nëdisa paqartësi që bien ndesh me argumentin e tyre të cilat po i shtroj në formë pyetjesh vetëm që përafrohen të mbulojnë 34 vitet e fundit të sundimit osman. Pse shqiptarët që kërkuan autonomi në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878)? Pseturqit në kuadër të Perandorisë Osmane ua dhanë pavarësinëshqiptarëve të fundit, ndërkohë të gjitha kombeve tjera ballkanike ua dhanë të drejtën e vetëvendosjes më herët? Pse administrata osmane ua lejoj grekëve dhe sllavëve shkollat në gjuhën e tyre ndërsa shqiptarëve jo? Pse administrata osmane në komunikimet zyrtare katolikët shqiptarë i konsideronte latinë, ordodoksët në jug grekë dhe ortodoksët në veri sllavë? Ku mbetet t’i ketë vendosur ajo shqiptarët? Shqiptarët dolën u mëvehtësuan të fundit nga kjo perandori, dhe kjo jo falë vullnetit perandorak osman sikurse dihet tashmë, por falë një tjetër perandorie: asaj austro-hungareze.Duke e lënë mënjanë këtë çështje e cila meriton një tjetër diskutim, po e rimarrim argumentin sërish aty ku e lamë. Duke mos e pasur këtë mundësi për të patur një shkollim të rregullt laik në gjuhën e vendit, shqiptarët do të duhej të ngushtoheshin të ushtronin diturinë në gjuhën shqipe vetëm në mënyrë ilegale, larg “vëmendjes” dhe “syrit” se pushtuesit turk. Justifikimi dhe mënyra më e mundshme për t’u realizuar kjo gjëu pa në mjediset e klerit katolik, falë vetëdijës së fortë lidhur me kombësinë që ky kler kishte dhe ka demonstruar vazhdimisht dhe duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit XVI për të vijuar më pas edhe falë projës sëPerandorisë Austro-Hungareze bazuar në marrëveshjet e Paqes të Karllovcit (1699), Passaroëitz (1718), Beogradit (1739) dhe Sistovës (1791) të nënshkruara mes saj dhe Perandorisë Osmane. Për një studiues serioz që i ka pesë pare mend e që e ka lexuar ndopak historinë e qyetërimit europiano-perëndimor, ku edhe pretendojmë të shkojmë ne shqiptarët e vonuar, e di mirë se historia e shkollimit (tipografisë, librit, arkivit e bashkë me të edhe e shkollimit), për shumicën e vendeve europiane ftillohet gjatë mesjetës në kuvende, abaci e manastire. Shkollat fillestare në Milano ta zëmë, u themeluan si shkolla katekizmi nga Arqipeshkvi i Milanos Shën Carlo Borromeo(1538-1584). Institucioni të cilin ne sot e emërtojmë Universitet u ftillua dhe u konfigurua si i tillë në Bolonja në fund të shekullit XI kur mësuesit e gramatikës, retorikës dhe të logjikës nisën të aplikojnë të drejtën romake në Alma Mater Studiorum, lëndë e cila do t’i tejkalojë shpejt kufijtë e Bolonjës. Viti i largët 1088 shënon datën konvencionale për të treguar një periudhë në të cilën nis një mësimdhënie e lirë e pavarur nga shkollat kishtare, periudhë e cila do të jetë me rëndësi për zhvillimin e politikës europiane për të saktësuar raportet mes Shtetit dhe Kishës. Përvoja universitare  do të vijojë kështu në Padova dhe në të gjithë Italinë si dhe nështete të tjera të kontinentit si Francë, Spanjë, Angli etj., madje edhe në Amerikë si:Santa Domingo, Lima, Meksiko, Bogota, Santiagoetj, kur regulltarët domeni kanë hapën universitete e tyre.
Një pjesë e mirë e këtyre universiteteve u themeluan si shkolla të larta fetare me fakultetet përkatëse në jurisprudencë dhe në disiplinat humane dhe kishtare njëherësh, nën drejtimin e klerit katolik, por ama datëlindja dhe vit themelimi i tyre nuk njihen si të tilla duke e ndarë këtë çështje dhe duke i klasifikuar ato si laike dhe fetare, e për rrjedhojë duke e kushtëzuar njohjen e tyre sipas përkatësisë së të qenit fetare apo laike, por hapja e tyre shënohet në momentin kur ky ka ndodhur dhe kjo përbën në vetvete historikun e shkollimit në secilin prej vendeve përkatëse. Shteti italian, le ta quajmë laik u formua si i tillë i bashkuar vetëm në vitin 1861, ndërsa me kushtetutë kjo do të bëhet realitet vetëm pas luftës së Dytë Botërore.
Me sa duket për shkrimin e historisë së fillimit të shkollimit në gjuhën shqipe, kriteret evropiane nuk vlejnë ende për historiografinë tonë, sepse pengesa kryesore për historishkruesit ishte dhe vijon të jetë fakti se shkollat e para shqipe lidheshin integralisht dhe drejtpërdrejt me institucionet fetare, kryesisht ata të kishës katolike. Të gjitha këto shkolla pa përjashtim ishin shkolla të thjeshta fetare në trajtëkolegjeshtë mbështetura prej klerit katolik, kryesisht në veri të vendit, shumica prej të cilave u hapën pranë selive ipeshkvore apo famullive vendore dhe udhëhiqeshin prej famullitarëve vendas dhe misionarëve të urdhërit françeskan apo meshtarëve dioqezanë, ndërsa në jug në zonën e fshatrave të Bregut ato u hapën dhe u mbajtën nga murgjit bazilianë të ardhur nga mjediset arbëreshe të Sicilisë, të cilët të gjithë së bashku ishin në varësi dhe nën kujdesin e Kongregatës së Propagandës Fide në Romë si dhe eprorëve rregulltarë dhe ipeshkvinjve vendas. Shkolla shqipe ishte e ndaluar ligjërisht të funksiononte si e tillë si institucion publik,dhe ndaj saj përdoreshin të gjitha mënyrat dhe mjetet nga ana pushtuesit osman që ajo të mos ndihej si e tillë, ndaj ishte dhe mbeti për shumë kohë një shkollë ilegale, që bënte jetën e saj fshehurazi, larg “syrit” kontrollues të qeveritarëve osmanë, shpesh edhe larg qendrave të banuara. Mësuesit e tyre ishin meshtarë katolikë, të cilët nën petkun e fesë justifikonin përgatitjen e djelmoshave si kandidatë për meshtarë në njohuritë e nevojshme në gjuhën italiane dhe latine, për të ndjekur më pas studimet e plota në Itali, por mësimet fillestare i merrnin në gjuhën e vendit. Nuk ka kurrëfarë justifikimi qoftë edhe krejt formal që të mos ushtrohej mësimnxënia dhe shkollimi në gjuhën shqipe, pa një traditë didaktike të praktikuar, përndryshe nuk kemi se si t’i justifikojmë nxënien e shqipes nga Gjon Buzuku, Lekë Matranga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi e të tjerë, të cilët na kanë lënë veprat themelore të shkrimit shqip. Pavarësisht programit, stafit, profilit, nivelit dhe cilësisë së formimit që është realizuar në këto shkolla, ato kanë rëndësi themelore pikësëpari sepse kanë përdorur shqipen si gjuhë amtare. Kjo ka rëndësi fort të madhe sepse pretendime të tjera në kushtet tejet të vështira që kishin në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, nuk duhet tua kërkojmë këtyre shkollave. Me dokumentet e reja të dala nga Arkivi Historik i Propagandës Fide që kemi përduarsh, bëhet gjithnjë e më e qartë pamja e shkollimit shqip, krahas atij italisht dhe latinisht në shkollat fetare në arealin katolik të Shqipërisë Veriore.Ky monopol kulturor dhe arsimor do të shpërbëhet si i tillë vetëm në shekullin XX, sidomos në gjysmën e dytë të këtij shekulli, kur do të profilohej një tjetër monopol; ai shtetëror laik i bashkëlidhur  me shkollimin si punë për “alfabetizimin” e më tej me “masivizimin” dhe “revulocionarizimin” e shkollës, duke paramenduar kështu nisjen nga asgjëja dhe në kushtet kur regjimi komunist e kishte ngritur një pjesë të mirë të platformës së vet kundër fesë, njohja e këtij fakti nuk kishte si të mos çmohej si një kontribut dhe vlerë e rëndësishme që Kisha Katolike i kishte dhënë kombit të vet, ndaj mënyra e duhur për ta fashitur këtë kontribut u gjet tek shmagia dhe deformimi i kësaj historie. “Studimtaria” shqiptare duhet të mësojë tashmë se katekizmi i Lekë Matrangës i vitit 1592, qe ishte shkruar qëllimisht për t’u përdorursi tekst didaktikt për mësimin e shqipes dhe besimit njëherësh në shkollën katekistike tek arbëreshët e Sicilisë. Sipas interpretimit të saj marksist i bie që, ajo të mos njihet si e tillë sepse: 1. ka qene shkollë fetare; 2. ka qenë shkollë jashtë Shqipërisë dhe se 3. ishte shkollë në një vend borgjez. Endengul e shkul ora e këtyre historianëve nis me 7 marsin e vitit 1887. Dëmi i shkaktuar për shkak të kësaj mosnjohjeje nuk është vetëm i natyrës kronologjike, por edhe i natyrës përmbajtësore kulturore e cila shkon bashkangjitur me kulturën shqiptare përgjatëshekujvetëpararendës. Ta mendosh të ndarë shkollimin në gjuhën shqipe në laike dhe fetare, është një tezë sa qesharake aq edhe anakronike, që nënkupton se tipi i ligjërimit apo stili e gjuhës edhe pse është në gjuhën shqipe nuk duhet të merret në konsideratë meqë ai është fetar.
Po të arsyetosh në këtë mënyrë është njëlloj sikur të thuash se, Meshar-i i Buzukut edhe pse është shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe, meqë na qënkësh një libër meshe, eksluzivisht fetar dhe si i tillë nuk është laik,e për rrjedhojë nuk duhet të njihet si libër shqip. E parë me këtë sy, sipas arsyetimit të historishkrueve të arsimit shqiptar në një ngjasim të pashembullt me historinë e artit botëror i bie që të përjashtojmë prej saj pikturën e skulpturën, mozikët, pikturën murale, miniaturat që janë të lidhur me fenë, kryesisht religjionin e krishterë të ritit latin dhe atij bizantin. I bie që ta përjashtojmë nga katalogët e artit letërsisë dhe kulturës Leonardo da Vinci-n, Michelangelo-n, Caravaggio-n, Raffaello Sanzio-n, Tiziano-n, Donatello-n, (Niçolò di Betto Bardi 1386 –1466), e Filippo Brunelleschi-n, e Bramante-n,Rembrandin, Onufrin, David Selenicën, Kostandin Shpatarakun, i bie që të përjashtojmë Shën Jeronimin, Dante Alighieri-n,XhonMiltonin, Moxartin, Hajdenin, Niketë Dardanin, Jan Kukuzelin, i bie të përjashtojmë Buzukun, Matrangën, Budin, Bogdanin,Gjon Nikollë Kazazin, Kostandin Kristoforidhin, Vangjel Meksin, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën. Heqja dorë prej këtij mentaliteti të yndyrshëm tipik komunist është padyshim një nevojë e ngutshme për të mos vijuar të mbetemi ende gazi i botës. Mendoj paraprakisht se do të ishte mirë që studiuesit historishkrues të arsimit shqiptar të marrin mundimin të lexojnë së paku historine e kulturës dhe qytetërimit evropiano-perëndimor mbi këtë çështje dhe mandej uroj të kthjellohen disi për t’iu rikthyer punëve tona e më pas të ftillohen të diskutojme për historinë kulturës shqiptare dhe specifikisht atë të shkollimit në gjuhën shqipe.
Askush prej nesh, qoftë ky studiues, qoftë mësues, student a qoftë edhe qytetar i thjeshtë i këtij vendi, nuk ka arsye dhe nuk duhet të mërzitet nëse shkolla e parë shqipe nuk është hapur në Korçë më 7 mars 1887. Nuk duhet të mërzitet nëse shkollimi publik në gjuhën shqipe nuk u ftillua në Shkodër, në Elbasan, Durrës apo edhe Vlorë, madje as në Beratin 2400 vjeçar. Data 7 mars 1887, nuk shënon më themelimin e shkollës së parë shqipe, por shënon ditën e hapjes së “Mësonjëtores” së parë shqipe në qytetin e Korçës, shkollës së parë, le të themi publike apo në një farë kuptimi edhe laike (edhe pse edhe ajo në fakt edhe ajo asnjëherënuk qe e tillë).
Duhet ditur dhe thënë qartë se bazuar në këtë farë kriterin e historishkrueve të arsimit shqiptar i bie që edhe kjo shkollë nuk ka qenë laike. Ajo ka qenë një shkollë e financuar nga Protestantët dhe si e tillë bazuar në mendësinë ideologjike të historiografisë sonë edhe ajo do të duhej të përjashtohej. Se cili ka qëllimi i mbajtjes në këmbë të këtij kriteri bazuar në këtë faktografi të gjymtuar, nuk është zor të merret me mend nëse vështrohet me kujdes ajo që parashtruam më sipër. Gjithsesi historia e ka bërë dhe e bën punën e saj, pavarësisht dashakeqësisë, memecllëkut dhe injorancës. Kjo fushë kërkimi mbetet ende më tej e hapur, e cila do të pasurohet me siguri në të ardhmen.Të gjithë duhet të bëhemi të vetëdijshëm se historia nuk është një disiplinë që është e dhënë një herë e përgjithmonë. Historia, përkundrazi shkruhet çdo ditë, sidomos ajo bashkëkohore, por edhe ajo e shkuara, madje edhe ajo më e largëta si cak apo periudhë kohore. Të bërit të ditur i fakteve historike përmes dokumenteve, është një proces që merr kohë, por që e kryen në mënyrën më të mirë të mundshme këtë detyrë parësore nga e cila historia bazon elementët substancialë të ekzistencës së saj si shkencë. Fakti së të ashtuquajturit historianë shqiptarë, vijojnë ta emërtojnë ende “Mësonjëtoren” e parë shqipe të Korçës si “pionierja e arsimit tonë kombëtar”, tregon qartë përmes terminologjisë së përdorur se ku ka ngecur e vazhdon të përjaget ajo.Nuk mendoj se përbën problem historiografik për askënd, apo aq më tepër nuk përbën kurrëfarë keqkuptimi festimi i 7 Marsit si dita e çeljes së kësaj shkolle, “Mësonjëtores”, e cila është bërë në njëfarë kuptimi festë kombëtare. Jo! Leximi i vëmendshëm dhe përdorimi i terminologjisë së duhur, duhet të kthehet në një standard të vëtëdijshëm për këdo që rreket të merret me “studime”, e për rrjedhojë edhe një mundësi më shumë për të qenë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që na dhanë mundësinë që të mos e bdarim gjuhën e bukur shqipe. Nuk është çështje patriotizmi, as etje për t’i mëshuar më shumë se duhet autoktonisë, hershmërisë, krenarisë së rracës, gjuhës shqipe si nënë e të gjitha gjuhëve” e të tjera pallavra si këto pa kurrëfarë rendimenti historik dhe kulturor, por është rasti të korigjojmë me mend në krye e me fakte historinë tonë jo pak të manipuluar, herë qëllimisht e herë-herë nga padija.
E para është e pafalshme, ndërsa e dyta gjithsesi për vullnetmirët mbart mundësinë e korigjimit sa nuk është vonë. Është rasti që ditë pas dite secili historian të bëjë detyrën e tij në mënyrë korrekte bazuar në metodologjitë bashkëkohore të cilat mundësojnë një vështrim kritik koherent me brezat e shkuar të tashëm e të ardhshëm. Shkrimi i historisë së arsimit shqip shfaqet jo vetëm si nevojë por si domosdoshmëri e shkrimit të historisë së qytetërimit shqiptar. Në këtë pikëvështrim edhe historia e shkollimit në gjuhën shqipë, përbën dhe do të përbëjë një qasje interesante, prej së cilës do të dalin me siguri “produkte” të reja që do të na bëjnë të qartë se shkollimi i arbërve, përkundrejt vështirësive të shumta në kushtet e mungesës së plotë të lirisë, ka mbijetuar hijshëm, vyeshëm, ndaj ne jemi sot këta që jemi, që falë Zotit dhe atyre mësuesve dhe nxënësve të shekujve të shkuar, flasim e komunikojmë shqip, paçka se harrakatët nuk na kanë munguar, sikurse do të vijonë të mos na mungojnë, sikurse ndodh me cilindo popull.

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 154

Trending Articles