Një libër për historinë e shqiptarëve e jo për atë të Shqipërisë apo të Kosovës e ka cilësuar veprën “Agjentë Perandorakë” vetë autori Noel Malcolm.
Me një shqipe të kthjellët, historiani i shquar anglez ka rrëfyer rrugën deri te vepra më e re e tij dhe përmbajtjen e saj që shqiptarët i nxjerr si popull me jo pak rol edhe në historinë e Evropës së shekullit XVI. “Agjentë Perandorakë” të enjten është promovuar në shqip në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, pas promovimit në Tiranë e Ulqin. Përkthyer nga Kastriot Myftiu, vepra e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës shpalos historinë e dy familjeve ulqinake të shekullit XVI.
“Më vjen keq që nuk është libër për historinë e Kosovës. Nuk është një libër për historinë e Shqipërisë, jo për Shqipërinë e kufijve të sotshëm. Është një libër për historinë e shqiptarëve”, ka thënë Malcolm për librin që shpalos veprimtarinë e familjeve Bruni dhe Bruti. Malcolm ka thënë se shqiptarët kanë pasur një ekzistencë në shumë rajone ballkanike. Ka treguar se librin që në shqip ka nëntitullin “Një familje shqiptare në botën mesdhetare të shekullit XVI”, ka nisur ta shkruajë me disa qëllime, shkruan Koha Ditore.
“Qëllimi i parë natyrisht ishte për të shkruar jetëshkrimet për anëtarët e familjes, por edhe për politikat e Evropës në gjysmën e dytë të shekullit XVI dhe për marrëdhëniet midis botës perëndimore dhe asaj osmane. Dhe veçanërisht për shqiptarët në përgjithësi, sepse kanë pasur një pozitë shumë interesante midis botëve të ndryshme”, ka thënë Malcolm. Qëllimi tjetër, sipas tij, ishte të tregojë se si shqiptarët kanë pasur një rol ushtarak, diplomatik, një rol në tregti, në Itali, Spanjë, Francë e në Austrinë e asaj kohe.
“Kam menduar të tregoj se si shqiptarët kanë marrë pjesë jo vetëm në historinë e Ballkanit, por edhe në historinë e Evropës”, ka thënë ai. Malcolm ka rrëfyer se para 20 vjetësh kishte filluar të lexonte një libër italian të shekullit XVI. Sipas tij, autori kishte shkruar se ekzistonte një traktat për kushtet brenda Perandorisë Osmane dhe ky dokument ishte shumë interesant për shqiptarët, ngase autori që e kishte shkruar atë, Antonio Bruni, është bashkatdhetar i shqiptarëve.
“Traktati ishte plotësisht i panjohur. Kam menduar se nëse mund ta gjejë do të jetë shumë interesant dhe do të mund të jetë teksti i parë i shkruar nga një shqiptar me emër dhe mbiemër, i shkruar për shqiptarët”, ka thënë Malcolm. Pas 15 vjetësh traktatin e kishte gjetur në Bibliotekën e Vatikanit. Ka thënë se dokumenti nuk ishte shumë i gjatë, por shumë interesant jo vetëm për shqiptarët, por në përgjithësi për Perandorinë Osmane.
“Kisha dëshirë ta botoja në ndonjë revistë shkencore me dy-tri faqe parathënie. Por problemi ishte se kush ishte Antonio Bruni. Nuk kisha asnjë haber. Dorëshkrimi ishte në gjuhën italiane. Ishte shkruar ‘Antonio Bruni. Dolcinio’”, ka thënë ai. Ka rrëfyer se kishte ditur që ekzistonte një argjipeshkëv i Tivarit që quhej Xhovani Bruni. Malcolm ka thënë se ky titullar i Kishës Katolike mund të ishte nga e njëjta familje me Antonio Brunin.
“Kam filluar hulumtimet. Ishte pak e vështirë. Nuk kemi shumë dokumentacion për ulqinakët e asaj periudhe. Por pak nga pak kam grumbulluar informacion për familjen e Antonio Brunit. Jo vetëm për Antonion, por për babanë, xhaxhanë, dajën, kushërinjtë e të tjerë. Një familje me shumë anëtarë dhe çdo anëtar më duket ka pasur një rol të veçantë”, ka thënë Malcolm, i cili është edhe autor i veprës “Kosova: Një histori e shkurtër” e botuar në shqip në vitin 2008 nga Botimet KOHA. Gjatë hulumtimit historiani kishte gjetur se babai i Antonios kishte një karrierë ushtarake dhe kishte qenë kapiten i anijes Papnore në betejën e Lepantit, që ishte beteja më e rëndësishme në shekullin XVI.
“Antonio Bruni ishte një agjent. Agjent jo vetëm për diplomaci, por edhe për tregti për Venedik. Ishte shumë i rëndësishëm për jetën ekonomike në Venedik. Kushëriri Bartolomeo Bruti kishte një karrierë të jashtëzakonshme. Ka filluar si dragoman, përkthyes në Ambasadën e Venedikut në Stamboll. Pastaj ka qenë i angazhuar si spiun për mbretin e Spanjës dhe ka bërë një investim në një projekt për të emëruar një princ të Moldavisë”, ka thënë Malcolm. Sipas tij, princi i Moldavisë e kishte marrë atë si kryeministër dhe komandant të ushtrisë. Malcolm e ka cilësuar këtë si një fakt të jashtëzakonshëm.
“Është e jashtëzakonshme. Një shqiptar që ishte 27-vjeçar ishte kryeministër dhe komandant i ushtrisë (së Moldavisë v.j.). Ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në diplomaci jo vetëm për diplomacinë e Moldavisë, por edhe midis Polonisë dhe Perandorisë Osmane”, ka thënë Malcolm. Pas hulumtimeve dhe mbledhjes së materialit, Malcolm ka thënë se tashmë posedonte gjetje shumë interesante dhe nuk mund të bëhej fjalë për një artikull në ndonjë revistë shkencore, por për një libër.
“Si kam thënë në fillim, se nuk është libër për historinë e Shqipërisë, por shpresoj që është një libër për çdo shqiptar, sepse është një libër për historinë e të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Malcolm.
Profesori universitar i historisë, Jahja Drançolli, i thirrur për të folur për librin, më shumë është ndalur tek biografia e Malcolmit dhe roli i tij si historian.
“Në ‘Agjentë Perandorakë’ autori ka spikatur mrekullitë e akteve të trimërisë së historive të shekullit XVI, të fituesve të Evropës, të humbësve në historitë e ndërmjetësve në formën e kalorësve, perandorakëve, priftërinjve jezuitë, spiunëve e të tjerë, të shkruara nga perspektiva metropolitane e Romës. Malcolm rikrijon në mënyrë të gjallë betejën e Lepantit në të cilën Gjon Bruni argjipeshkëv i Tivarit u vra në anijen Papnore”, ka thënë Drançolli.
Historiani Ylber Hysaj ka thënë se motoja e librit të Malcolm është “Shqiptarët mu në mes të përplasjes globale të kohës”. Sipas tij, familjet Bruni dhe Bruti pas një rezistence ku luajnë rol eminent detyrohen të shpërngulen në hapësirat venedikase pasi që Ulqini bie nën pushtimin osman.
“Penetrojnë në role nga më të ndryshmet duke qenë protagonistë të diplomacisë, spiunazhit dhe kundërspiunazhit, duke kryer shërbime nga të qenit pjesë e diplomacisë venedikase deri në shërbim të mbretërive nga më të fortat katolike të kohës”, ka thënë Hysaj, i cili nga viti 2012 është ambasador i Kosovës në Maqedoni.
Botuesja e “Botimeve Dudaj”, që ka sjellë në shqip veprën e Malcolmit, Arlinda Dudaj, ka thënë se libri në anglisht kishte një nëntitull tjetër e ai në shqip është vendosur me sugjerimin të vetë autorit.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, si nikoqir i ceremonisë së promovimit të librit, ka thënë se institucioni që ai udhëheq ka nderin të jetë arkiv i veprave të Malcolmit e të organizojë promovimin e librit “Agjentë Perandorakë”.