
Miq e lexues të pasionuar të veprave të këtij studiuesi, por edhe ish emigrantë shqiptarë në Greqi, u gjenden në kafe-bar Muza, një lokal ku mblidhen krijues kryesisht të dielave dhe folën për jetën e veprën e Aristidh Kolës. Fjalën e hapjes e mbajti shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa kineasti dhe poeti Kolec Traboini, që e ka njohur personalisht Aristidh Kolën dhe vitin e kaluar ka botuar një libër mbi atë, lexoi propozimin e përgatitur që do t’i dërgohet Presidentit të Republikës duke sjellë arsyet e këtij propozimi si dhe një biografi të shkurtër të veprimtarit të shquar arvanitas të cilat po i sjellim më poshtë: 1-Krenaria e tij si shqiptar, e cila e shoqëroi deri në fund të jetës e prej të cilës nuk hezitoi e nuk hoqi dorë kurrë sado presion dhe luftë që i bënin. 2-Guximi për të thënë të vërtetën, për të mbrojtur kulturën gjuhën e traditat shqiptare ndër arvanitët e Greqisë. 3- Dashuria e madhe për atdheun e të parëve dhe popullin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo ku ata ndodheshin në botë. 4-Udhëheqës i madh i arvanitasve, veprimtar i palodhur në gjithçka që i shërbente indentitetit arvanitas; organizator i veprimtarive për mbajtjen gjallë të kulturës e traditave të popullit të vet. 5-Përkushtimi i jashtëzakonshëm për ngritjen e dinjitetit të shqiptarëve të Greqisë për të cilën la cdo gjë, dhe profesionin e avokatit, dhe u mor tërësisht me kërkime e studime në fushën e kulturës popullore dhe historisë. 6-Studiues që solli vepra voluminoze që bëjnë histori, mjaftojmë të kujtojmë “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, që ka njohur mbi 14 botime dhe që konsiderohet si bibla e arvanitasve, vepër që ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare dhe me fakte historike të ngjall krenarinë e të qenit shqiptar. Edhe “Gjuha e perëndive” është një vepër studimore që sjell argument që gjuha shqipe është vazhdimësi e gjuhës ilire dhe si një gjuhë të cilën e flisnin perënditë e Olimpit, çfarë e bën krenar çdo shqiptar në botë. 7- Publicist i madh, mbrojtës i patundur i kauzës së shqiptarëve në Ballkan, mbrojtës i shqiptarëve të Kosovës, për të cilën shkroi dhe veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” Athinë 1995, përkthyer edhe në shqip. 8-Njeriu i paqes, megjithëse luftëtar i madh i kauzës së kulturës dhe dinjitetit të popullit të vet, ai dëshironte që në mes të dy popujve më të vjetër në Ballkan të kishte miqësi e mirëkuptim, sepse vetë popujt kurrë nuk janë burime luftërash ata më së shumti e pësojnë prej politikës së mbrapshtë të kastave e qarqeve ekstremiste. 9- Sakrifikoi gjithçka për kauzën në të cilën besonte, pa kursyer asgjë, madje edhe jetën e tij, sepse gjithmonë jetoi nën kërcënime deri me vdekje, por kurrë nuk u zmbraps e kurrë nuk u mposht. 10- Figura e tij madhore, krenaria e tij për prejardhjen shqiptare, është sot një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët e Greqisë, por edhe në mbarë botën. Mbi figurën e Aristidh Kolës folën Vasil Premçi, Kujtim Dashi, Natasha Lushaj, Farida Ramadani që kishte ardhur nga Shkodra, Riza Braholli,Naum Kule- kryetar i shoqatës “Myzeqeja”, Dhimitër Xhoga, Namik Selmani, Agron Çalliku dhe Artur Zadrima ish-emigrant në Greqi. Në këtë takim u recituan edhe krijime kushtuar Aristidh Kolës, të autorëve Kolec Traboini, Sazan Goliku, Robert Goro, Arben Llalla, Xheladin Mjeku, Arqile Gjata, Sotir Goxhaj, Bardhosh Xhelaj si dhe elegji popullore arvanite. Pjesëmarrësit u informuan edhe për përhapjen e menjëhershme të kësaj nisme në tërë trevat shqiptare. Në Prishtinë kemi nismëtarë figurat e njohura atdhetare, Hydajet Hyseni, dhe Ismet Hajrullahu, në Prizren Neriman Braha dhe Nexhmi Lajqi, në Tetovë kemi nismëtar historianin Arben Llalla, i cili e ka njohur nga afër Aristidh Kolen dhe ka shkruar një libër për të. Në Tiranë ku lindi kjo nismë, Kolec Traboini dhe Pandeli Koçi. Nismëtarët e Prishtinës në bazë të njoftimeve nga Ismet Hajrullahu shprehin dëshirën e organizimit të një konference shkencore kushtuar jetës e veprës së Aristidh Kola. Së shpejti do të kemi një takim të grupeve nismëtare që mendohet të organizohet në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës.
Informacioni u shpërnda nga grupi
“Miqtë e Aristidh Kolës”.