Sipas zbatuesit të këtij objekti, arkitekt Agron Doraci, objekti synohet të vihet në shfrytëzim për 80-vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Shtëpia e Kadaresë, monument kulture i kategorisë së parë, që u dogj gati 16 vite më parë, tani po shkon drejt restaurimit të saj të plotë, që pritet të përfundojë në fund të janarit 2016.
Në mjediset e brendshme të shtëpisë janë ruajtur elementët e vjetër që i shpëtuan djegies aksidentale, ndërsa është punuar për të ruajtur traditën e ndërtimit gjirokastrit, pa harruar përdorimin e dy elementëve kryesorë të këtyre banesave karakteristike: drurin dhe gurin.
Në shtëpinë që tashmë është në fazën e fundit të restaurimit ka përfunduar restaurimi i galerisë së gurtë me arkadë në pjesën jugore, e përmendur edhe në faqet e romanit “Kronikë në gurë”, në përshkrimin që Kadareja i bën shtëpisë së tij të lindjes.
Krahas kësaj, punimet kanë sjellë në identitet disa prej detajeve karakteristike të këtij objekti, si kamaret e harkuara apo qemerët.
Sipas zbatuesit të këtij objekti, arkitekt Agron Doraci, objekti synohet të vihet në shfrytëzim për 80-vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit, raporton Balkanweb.
Për sa i përket funksionit të kësaj godine, sipas Doracit dhe një pjese të intelektualëve gjirokastritë, banesa duhet të mbetet vetëm në funksion të evidentimit të veprës së Kadaresë dhe arkitekturës së banesave gjirokastrite.
Në mirëkuptim me shkrimtarin, projekti parashikon ekspozimin e të gjithë krijimtarisë letrare të Kadaresë dhe një pjese të dorëshkrimeve dhe objekteve të punës së tij.
Në shtator të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës miratoi kthimin në muze të shtëpisë së lindjes së shkrimtarit, që synon të hapet si e tillë në 28 janar të vitit të ardhshëm, datë që përkon me 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë.
Vlerat karakteristike dhe muzeale të shtëpisë së shkrimtarit do të administrohen nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Gjirokastër.
E listuar si një nga objektet më të vizituara në qytetin e gurtë, restaurimi i banesës së shkrimtarit Ismail Kadare është drejt përfundimit, pas një kalvari të gjatë debatesh e problematikash.
E nisur në 200ë-ën, restaurimi i saj u bllokua në vitin 2011, për shkak të pronësisë me banesën pranë saj, e njohur si shtëpia e Kako Pinos.
Rifillimi i punimeve pas katër vitesh u mundësua falë një fondi me vlerë 114 mijë euro dhënë nga UNESCO.
Vetë Kadareja në krijimet e tij i ka bërë një biografi të plotë kësaj shtëpie, e cila mendohet të kthehet në të vizitueshme për të plotësuar interesin e mijëra vizitorëve që mbërrijnë nga vende të ndryshme të botës.
Shtëpia ku shkrimtari Ismail Kadare kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë së tij ndodhet në lagjen “Palorto”, në zemër të zonës historike të mbrojtur nga UNESCO-ja dhe shumë pranë shtëpisë së Enver Hoxhës, sot Muzeu Etnografik.