Familja jonë Shytaj
Sot ka me se mbi dyqind vetë
Të shpërndarë nga Shkodra deri në Kaliforni
Fëmijët e mi,që sot banojnë në Luzern
Flasin gjermanisht
Fëmijët i vëllait tim Nikës që banon në Zagreb
Flasin kroatisht
Fëmijët e vëllait tim Lucës që banon në Tuz
Flasin shqip e malazezçe
Fëmijët e vëllait tim Lekës
Flasin anglisht
Fëmijët e vëllait tim Prelës që banon në Detroit
Flasin amerikançe
Fëmijët e axhave,kushërinjve dhe të kushërirave tona
Flasin italisht,frëngjisht,spanjisht,portugalisht e polonisht…
Ja Kulla e Babelit
E ndërtuar nga pasardhësit e familjes sonë
E ndërtuar gjithashtu nga pinjojt
E shumicës së familjeve shqiptare
Të shpërndara në të gjitha viset e Planetit
Nga rrebeshet e pamëshirshme të shekujve
S eshte veç për ju,o,Shytaj,kjo elegji,
por për mbarë tonën Shqiptaro-Malësi!
Kulla e Babelit, një poezi interesante, që më bëri të bëj këtë shkrim (analizë) e poetit Nokë Sinishtaj, ka një temë që është shumë aktuale por që është edhe temë shumë e vjetër, sa vetë njerëzimi, një temë biblike, temë që poeti shpesh e preferon pasi e njeh shumë mirë por, ai gjithsesi e nderlidhë me jetën e vendit të vet, popullit të vet e mbi të gjitha, të familjes së tij Shytaj. Kulla e Babelit është një histori nga Bibla, pikërisht te Zanafilla 11,1-9.
Është interesant se si autori e fillon poezinë me varegjet:
Familja jonë Shytaj
Sot ka më se mbi dyqind vetë
Të shpërndarë nga Shkodra deri në Kaliforni
Fillimisht, duhet rikujtuar lexuesi për familjen e autorit, familje e cila ka jetuar në një kullë të madhe , mbi gjashtëdhjetë anëtarë dhe ka qenë një nder familjet më të pasura në Malësinë në Mal të Zi. Mirëpo autori e fillon poezinë pernjëherë me një rrebesh, me një shkapërderdhje familjare që të kujton rrugëtimet e mëdhaja e të shpeshta të popullit hebre që paraqiten në Dhiaten e Vjetër. Kështu, familja e autorit, pas shëmbjes së Kullës së Shytajve, shkapërderdhet në katër anët e botës në kërkim të fatit të vet, duke harruar se këta njerëz që jetojnë tashmë të ndarë, dikurë jetonin bashkë, të fortë dhe me një projekt të madh për jetën. Në kohët më të vështira sakrifikonin jetën përsonale për atë kolektive, por duke dhënë një rezultat të paparë në jetën ekonomike, familjare dhe pse jo , në atë politike. Mirëpo sot, autori e thekson se kjo ndarje, nuk ka ndodhur në menyrë normale, që familjet të kalojnë në jetë përsonale, të ndahën si gjithë familjet e tjera moderne evropiane, por kjo ndarje u bë si një eksod, si një dënim, si një mallkim që vjen nga një forcë më e madhe me të cilën kjo familje malësore, ky popull, ky komb i tërë është i detyruar të bashkëjetojë.
Ja Kulla e Babelit
E ndërtuar nga pasardhësit e familjes sonë
E ndërtuar gjithashtu nga pinjojt
E shumicës së familjeve shqiptare
Të shpërndara në të gjitha viset e Planetit
Nga rrebeshet e pamëshirshme të shekujve
Mëndoj se autori kërkon që përmes kësaj poezi, të na transmetoj mesazhin se diçka duhet ruajtur nga gjithë kjo, duhet diçka të trashëgohet që mos të humbasë bërthama e familjes, bërthama e kombit.
Ashtu si te pjesa që paraqitet te Bibla, ku gjuha është elementi bazë i njerëzve që po ndërtonin Kullën e Babelit, ashtu autori e përdorë elementin kryesor të kombin tonë, gjuhën e cila ka fuqinë unike për ruajtjen e qënjes kombëtare.
Autori thotë:
Fëmijët e mi,që sot banojnë në Luzern
Flasin gjermanisht
Fëmijët i vëllait tim Nikës që banon në Zagreb
Flasin kroatisht
Fëmijët e vëllait tim Lucës që banon në Tuz
Flasin shqip e malazezçe
Fëmijët e vëllait tim Lekës
Flasin anglisht
Fëmijët e vëllait tim Prelës që banon në Detroit
Flasin amerikançe
Fëmijët e axhave,kushërinjve dhe të kushërirave tona
Flasin italisht,frëngjisht,spanjisht,portugalisht e polonisht…
Pra vetëm familja Shytaj, të cilën e përdorë autori si pemë gjenealogjike, na del se sot përdorë më shumë se nëntë gjuhë në familje. A nuk është ky një realitet që ka prekur shumë familje, që mos të themi të gjitha?
Po në kohët e sotme, kombi shqiptarë nuk po ndalon së qenuri një komb biblik, një komb që vetëm po shtegton, vetëm po kërkon të ikë dhe të largohet nga Kulla e Babelit për tu bërë themel i shumë kullave të tjera që vetëm shqip nuk flasin.
Deri sa lexon vargjet e para të kesaj poezie të krijohet përshtypja se dikush e ka një shegë në dorë dhe kokrrat i shkapërderdhën rreth e rrotull sa nuk ia del ti mbajë, të ushqehet me to e ti përdorë për atë që ato janë krijuar, por me një frut aq të mirë, aq të shëndosh e të pjekur nuk ia del të ushqehet por vihet në pikepyetje nëse vazhdon që të ekzistojë apo do të vdesë nga uria.
Vargjet e kësaj poezie janë vargje prozaike, pa rimë, rrjedhin si një ligjërim, si një uratë që ka përbrenda një lutje drejtuar gjithkuj që mund ta ndalojë një gjë të tillë. Është një elegji për kombin tonë të vuajtur, por duke u nisur nga familja, Malësia e në fund i gjithë kombi. Autori e vëndos veten të parin si braktisës të kullës, e pastaj vazhdon me të tjerët që i ka pothuajse aq të afërm sa veten, duke vënë përballë pasqyrës kombin shqiptar i cili ënde zgjohet me mëndimin: a thua po më del fati që të largohem një herë nga kjo tokë, e të tretem e të përzihem në njëqind farë e fise, të bëhem çtë bëhem por vetëm jo shqiptar.
Autori fare hapur thotë në fund:
S eshte veç për ju,o,Shytaj,kjo elegji,
por për mbarë tonën Shqiptaro-Malësi!
Nokë (Ndue) Sinishtaj ka lindur më 24 gusht 1944, në fshatin Kshevë të Grudës, pjesa e Malësisë së Madhe që i takon Malit të Zi, rreth 7km në largësi të qytezës së Tuzit. Pseudonimin Nokë, e merr nga prindërit e tij, një pseudonim që në fakt në zonë të Malësisë së Tuzit është emër pasi emri Ndue në këto anë njihet si Nua apo Nokë. I takon një familjeje të madhe, familjes së Shytajve e cila numëronte rreth 60 anëtarë që mblidheshin të gjithë në të ashtuquajturën “Kulla e Shytajve”. Ai është fëmija i katërt me rrallë nga trembëdhjetë fëmijët e familjes Sinishtaj.
Shkollën fillore e filloi në Kshevë dhe Tuz me mësues që flisnin të folmen e Malësisë së Madhe, për të vazhduar drejt një kryeqendre siç është qyteti i Zarës dhe ai i Pazinit ku përfundoi gjimnazin klasik. Nga qendrat ballkanike si Zagrebi dhe Rijeka ku fillon studimet për teologji, Noka, merr rrugën drejt një qendre të madhe evropiane siç ishte Firenca e Italisë ku edhe diplomohet për teologji.
Mirëpo Noka nuk mjaftohet vetëm me kaq sa i përket formësimit të tij intelektual pasi ai në vitin 1975 regjistroi Filozofinë dhe Letërsinë Italiane në Universitetin e Friburgut ku u diplomua në vitin 1981.
Veprat në gjuhën Shqipe:
“Mogilat e Kshevës” (1976)
“Te varret e Kshevës”, poezi (1976)
“Syri i ngujuar”, poezi (1998)
“Në vend të epitafit”, poezi (2002)
“I vetmuar, në kopshtin tim, qaj për të afërmit e mi”,(2002)
“Spirale”, poezi (2003)
“Rekuiem për fshatin tim”, poezi (2005)
“Tetë letra të Martin Camaj”, (2000)
“Nga sergjeni i harruar”, poezi (2007)
“Rrefimet e një prifti të rebeluar”, publicist (2000)
”Kupa e thyer e heshtjes”,poezi (2010)
“Nën arkada të universit”,poezi (2013)
“Dejka Kujtimesh”, poezi, 2014