Skender Asani
Çështja e ortodoksëve shqiptarë asnjëherë më parë nuk është hapur dhe studiuar në mënyrë shkencore. Kjo çështje kërkon një përkujdesje institucionale, për pasqyrimin e denjë të autoktonisë së shqiptarëve në këto treva, sidomos të periudhës mesjetare, e cila deri më tani shumëherë është keqpërdorur, madje ende po keqpërdoret për çështje politike nga qarqet e ndryshme serbe, greke, bullgare e maqedonase.
Gjatë shekullit XIX dhe në dekaden e parë të shekullit XX, shqiptarët ortodoksë të trevave lindore shqiptare, ishin nën presionin e vazhdueshëm nga Ekzarkia Bullgare për t’u asimiluar. Faktikisht, aty ku e kishte jurisdiksionin kjo kishë, të gjithë besimtarët ortodoks ishin të detyruar të deklaroheshin si bullgarë. Këtu qëndron edhe kurthi i manipulimeve statistikore të historianëve bullgarë, të cilët në raportet e tyre, shqiptarët ortodoks nga rajonet kompakte të shqiptarëve ortodoks, i paraqesin si bullgarë.
Nga ana tjetër, prej tetorit të vitit 1912, konkretisht pas Betejës së Kumanovës, trevat lindore shqiptare bien nën pushtimin serb. Në këtë kohë fillon edhe faza e dytë e asimilimit, përkatësisht presioni i Kishës Serbe ndaj shqiptarëve ortodoks të këtyre trevave, për të ndryshuar kombësinë. Pra, të njejtën metodë që e kishte përdorur Ekzarkia bullgare, filloi ta përdorë edhe Kisha Ortodokse Serbe, duke e shfrytëzuar fenë si mjet presioni për ndryshimin e strukturës kombëtare në trevat lindore shqiptare. Me këtë rast, edhe historianët serbë botuan shumë të dhëna statistikore dhe sajuan një histori të rrejshme për rajonet e ndryshme të banuara me shqiptarë ortodoks në trevat lindore shqiptare, duke i paraqitur ata para opinionit si popullatë serbe.
Kjo golgotë e shqiptarëve ortodoksë në trevat lindore, vazhdoi edhe pas krijimit të Federates Jugosllave, përkatësisht me themelimin e Republikës së Maqedonisë dhe themelimin e Kishës Autoqefale Maqedonase, e cila duke e përdorur fenë, arriti që me mjete të ndryshme të pushtetit dhe dhunës institucionale, të asimilojë gati se në tërësi popullatën ortodokse shqiptare.
Dokumentet që po i paraqesim për botim, janë hulumtuar në Arkivin Qendror të Republikës së Maqedonisë, përkatësisht në Fondin “Албанска православна црква“, që flet për vitet 1941 – 1945. Nga këto dokumente arkivore, kuptojmë se gjatë kësaj kohe, në territorin ku kishte shtrirje Kisha Autoqefale Shqiptare (Struga, Kërçova, Dibra, Reka, Gostivari dhe Tetova), për herë të parë gjatë historisë, u mundësua që vetë popullata lokale të përcaktohet për përkatësinë kombëtare shqiptare të ortodoksëve të këtij rajoni. Po ashtu në këto dokumente shpaloset komunikimi i drejtpërdrejt i priftrinjëve dhe i besimtarëve ortodoksë me qendrën e Kishës Autoqefale Shqiptare në Tiranë. Në disa nga këto relacione, shpaloset edhe dëshira e hapur e popullatës vendore, që mesha të zhvillohet në gjuhën e besimtarëve, në gjuhën shqipe. Po ashtu kërkohet që priftërinjtë të ndjekin kurse në gjuhën shqipe, si parakushte për të pasur një komunikim të drejtpërdrejtë me qendrën në Tiranë.
Këto dokumente janë të rëndësisë së veçantë, sepse për së pari herë, shihet se si në mënyrë institucionale, popullatës shqiptare të fesë ortodokse, i mundësohet të përcaktohet lirshëm elementi kombëtar të cilës i takon. Me interes të veçantë janë dokumentet ku shihet qartë se si në ato vite është shënuar festa e 28 Nëntorit, dhe se me këtë rast, nëpër kishat e këtyre qyteteve ka valuar flamuri kombëtar shqiptar.
I gjithë fondi i këtyre dokumenteve do të botohet në numrin e radhës së revistës shkencore të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve “Scupi”, bashkë me materialet tjera të konferencës shkencore kushtuar 50 vjetorit të vdekjes së Fan Stilian Nolit.