Quantcast
Channel: BOTA – Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 154

“Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, të Branisllav Sinadinovskit

$
0
0

Fjala e Fatmir Sulejmanit, e lexuar në aktin e përurimit të vepres

I nderuari auditor…

Me sa e di, vepra “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” e profesor Branisllav Sinadinovskit është e para e këtij lloji e shkruar prej një shqiptari ortodoks e rekali. Ajo hapet me etnogjenezën e shqiptarëve, për të vazhduar më pas me të dhëna interesante për periudhën e mesjetes dhe të Skënderbeut, për migrimet e para të shqiptarëve të Rekës, për përhapjen e krishterimit dhe më pas për islamizimin e një pjese të popullatës së kësaj krahine, për shekujt e kaluar nën pushtuesit osmanë, për formimin e shtetit shqiptar, për asimilimin etnik e gjuhësor të Rekës nga Jugosllavia e Pashiqit dhe ajo e Titos, për vazhdimin e dhunës nga ana e pushtetit maqedonas, për tiparet racore të rekalinjëve, për jetën shoqërore, për të folmen karakteristike të Rekës, për trashëgiminë shpirtërore e materiale, për nevojën e themelimit të kishës ortodokse shqiptare dhe në fund për tendencën e mbylljes së temës mbi shqiptarët ortidoksë të Rekës dhe përpjekjen e ankthshme për satanizimin e zërave që kërkojnë të drejtat e tyre të nëpërkëmbura etnike e religjioze.
Të vërtetat e tij, autori i sjell të shkruara me një gjuhë të lehtë dhe të kapshme prej gjithsecilit, me një frymë tolerance e mirëkuptimi nderetnik e ndërfetar, duke iu referuar dokumenteve konkrete dhe veprave të shumë autorëve që kanë shkruar për Rekën me tendenca të mbrapshta politike, po dhe atyre që këtë e bënë më akribi të mirëfilltë shkencore.
***
Në një ese të tijën të shkruar në vitet e ’90-ta, poeti Azem Shkreli jo më kot thoshte se: stina më e ligë për një etni është ajo kur rëndomësohet e keqja. Pikërisht kjo po na ndodh aktualisht, sepse, akoma pa arritur të dalim nga një stinë e ligë, ne po zhytemi në një zaman tjetër të rrezikshëm, ku me mënyra shumë të sofistikuara rrjedh pandalshëm procesi i shpëlarjes së trurit nga mbamendja historike dhe grimcimi i substancës etnike.
Kjo është arsyeja përse e konsideroj të rëndësishme dhe përse iu futa përkthimit të veprës së profesor Sinadinovskit, njeriut i cili mori guximin ta shkelë gjarpërin në bisht, duke ndërsyer urrejtjet, kanosjet, sharjet, fyerjet e paskrupullta ndaj personalitetit të tij, përfshirë këtu madje dhe sulmet fizike mbi të, mbi familjen dhe pronën familjare.
Duhet thënë se edhe përkundër kësaj, autori i veprës që përurojmë sot, për dikë është i zakonshëm, për dikë i vonuar, për dikë i pavlerë, për dikë i dyshimtë…, por kjo nuk na ka dekurajuar për të konstatuar se, për sa i takon veprës që përurojmë në këto ambiente universitare, prof. Sinadinovski është hero. Kjo sepse është ai që then me një vepër konkrete mitin e mashtrimit shekullor mbi shqiptarët, të cilët, sipas disave, i paskan sjellur turqit në këto troje përpara 150 vitesh, si kanibalë të egër dhe me një gjuhë 28 fjalëshe.
Siç e dini, Reka e Epërme, që si krahinë shtrihet në të dy anët e Radikës, midis kurorave malore të Korabit e Deshatit, ka qenë përherë kërthiza e Shqiptarëve ortodoksë, të cilët gjer vonë e kanë ndier veten si pjesë të tërësisë së kombit. Por, lënia pas dore e Rekës dhe asimilimi i sistematik i shqiptarëve në sllavë, i filluar nga Jugosllavia e Versajit dhe gati e finalizuar nga Maqedonia socialiste si pjesë e Jugosllavisë së Avnojit, e ka shkretuar rajonin dhe i ka shprazur gati në tërësi fshatrat e banuar me popullatë shqiptare të krishterë dhe muslimane, si: Zhirovnica, Grekaj, Vërbeni, Vërbjani, Tanusha, Rimnica, Nivishta, Zhuzhnja, Shtirovica, Reçi, Strezimiri, Brodeci, Niçpuri, Bogdeva, Krakornica, Dubova, Vollkovia, Senca, Tërnica, Mavrova, Nikifori, Kiçinica, Beliçica, Lemnova, Brezovica, Çajani, Dufi…
E veçanta e asimilimit të shqiptarëve ortodoksë të Rekës është heshtja mortore që e ka shoqëruar procesin e kovertimit të pashembullt etnik të dhjetëra mijëra njerëzve – indiferenca e shqiptarëve të besimit ortodoks, që u asimiluan pabëzajtur dhe indiferenca e shqiptarëve të besimit muslimanë, që nuk e panë gjëmën e vëllezërve të gjuhës e të gjakut. Ndaj, aq sa flet kjo vaki për perfiditetin dhe metodat e sofistikuara të asimilimit në fjalë, po aq ndriçon ndërgjegjen tonë kolektive dhe gatishmërinë për t’u shkrirë në asgjë me lehtësi të papërballueshme, pa një zë të fuqishëm protestues, pa një alarm serioz në mediet brenda a jashtë kësaj shkretishteje, pa një rebelim promoteu, të gatshëm t’ia dhurojë popullit zjarrin, ta vetëdijësojë atë se është duke jetuar stinën e ligë që e shfytyroi gati përsijeta.
Dikush mund të pyesë përse duhet thënë këto gjëra në një përurim si ky i veprës së z. Sinadinovski? Dhe unë me modestinë e mendjes sime them: për t’u njohur e vërteta, për t’i dalë zot shtëpisë sonë; për t’i bërë hapësirën e duhur ardhmërisë së fëmijëve tanë; për të dëshmuar përpara njeriut e përpara Zotit se nuk na ka sjellë kush në prehër kulesh; për të dëshmuar se, përveç shqiptarëve me përkatësi fetare muslimane, në këto anë kanë jetuar e jetojnë akoma shqiptarë të përkatësisë katolike e ortodokse; se vendbanimet shqiptare, përveç xhamive, janë ding me rrënoja e themele kishash e manastiresh, me të cilët sot dikush bën autoktoninë dhe antikitetin e shpifur, duke shpallur pronarët e mirëfilltë të tyre si apatridë, madje dhe popull gjenocidistë…, sepse, për sa kohë nuk ia themi të vërtetën persekutorit shekullor, ngrihet ai e na i faturon mbrapshtitë e tij.
Sidoqoftë, u bë mirë që më në fund ndodhi e pabesueshmja: doli në shesh mashtrimi shekullor mbi përkatësinë etnike të Shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme – u thye miti mbi Rekën maqedonase, i doli boja pronësisë së rreme të trashëgimisë së jashtëzakonshme materiale e shpirtërore, të përvetësuar kubarisht nga pushtetet dhe pushtetarët e ligj.
Mjerisht, tani më është iluzion të pritet kthimi i sërishëm në origjinë i rreth 100.000 frymëve, aq sa pohojnë se janë vetë shqiptarët ortodoksë të Rekës. Gjërat kanë shkuar tepër larg për të qenë optimist me tamam rreth kësaj çëshshtjeje, megjithatë shpresa nuk ka tretur me fund, sepse po shtohet numri i atyre që po dalin nga guaska e “shkretëve” dhe po e mundin frikën me klithmën: JAM SHQIPTAR!
Kështu, udha e nisur para disa vitesh nga shqiptaro-amerikani i urtë Branko Manajllovski dhe e vazhduar më pas prej shqiptarëve të tjerë ortodoksë me prejardhje nga Reka e rilindësit Josif Bageri, u kurorëzua para disa ditësh me pranimin e Bashkësisë së shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë si komunitet i mëvetësishëm fetar, i barabartë para ligjit me komunitetet tjera.
S’do mend se kjo është arritje e madhe, që mëton ta vë në vendin e vet të vërtetën e zhvendosur historike, e cila shqiptarëve të besimit ortodoks do t’ua kthejë domosdoshmërisht tapitë mbi kishat dhe manastiret e tyre dhe të drejtën për t’iu lutur Zotit në Gjuhën mjaltë të Nënës.
Natyrisht, kjo ka shqetësuar qarqet e indoktrinuara pashërueshëm me shqipatarofobi, ku bëjnë pjesë dhe mashat e tyre shqipfolëse, që fatmirësisht nuk kanë mandat dhe autoritet të përfaqësojnë asgjë më shumë se mjerimin e tyre.
Por, t’ia lëmë këtë të shkuarës dhe ta bëjmë atë që duhet bërë për shpëtimin e asimilimit të plotë të vëllezërve tanë, sepse, duke luftuar për të vërtetën e Rekës ne luftojmë për të vërtetën e dhunuar një shekull të tërë, i themi botës dhe fqinjëve hileqarë se jemi një, se gjaku nuk bëhet ujë, se damarëve tanë vrujon po ajo masë e purpurt lëngu jetësor si në damarët e shqiptarëve të besimit ortodoksë, të cilët, më në fund, guxojnë të shpalojnë të vërtetën e vetvetes, të vërtetën e pjesës më fatkeqe të etnisë shqiptare, e cila nuk mund të triumfojë pa përkrahjen morale dhe institucionale të gjithë kombit shqiptar.
Faleminderit.

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 154

Trending Articles